Përpunoni falas PDF, me Përpunuesin e PDF-ve të Firefox-it

Nëse ju duhet të shtoni gjëra te një dokument PDF, tani këtë mund ta bëni në linjë, me Firefox. Hapeni PDF-në në Firefox dhe klikoni butonat Tekst, ose Vizatim në cepin e sipërm djathtas, për të bërë ndryshimet tuaja te dokumenti. Shkarkojeni kartelën, që të ruani ndryshimet tuaja.

Plotësoni formularë në internet, pa i shtypur dhe skanuar

Na ka qëlluar të gjithëve: ju duhet të plotësoni një formular që është PDF, por s’është i përpunueshëm. Në të kaluarën, e vetmja mundësi qe të shtypej në një pemë të vdekur, të shtoheshin gjëra me bojë dhe mandej të skanohej për ta kthyer prapë në kompjuter.

Jo më! Tashmë, krejt çka ju duhet të bëni është ta përpunoni PDF në linjë, me Firefox, ta ruani dhe ta dërgoni me email që nga kompjuteri juaj.

Shtoni tekst

Hapeni PDF-në në Firefox. Klikoni butonin Tekst që të zgjidhni një ngjyrë dhe madhësi teksti, para se të përzgjidhni se ku në dokumentin tuaj dëshironi të shtoni tekst. Kaq e lehtë është!

Shtoni vizatime

Hapeni PDF-në në Firefox. Klikoni ikonën Vizatoni që të zgjidhni një ngjyrë, trashësi dhe patejdukshmëri, para se të jeni në gjendje të vizatoni te dokumenti.

Shtoni figurë me tekst alternativ

Hapeni PDF-në në Firefox. Klikoni ikonën e figurës, çka mandej do t’ju kërkojë të ngarkoni një figurë. Rregulloni madhësinë dhe vendosjen e figurës tuaj, sipas nevojës. Klikoni butonin “+Tekst alternativ” te figura, që të shtoni një përshkrim për të, për ta bërë më të lehtë të kuptuarit e PDF-së.

Krijoni një nënshkrim

Hapeni PDF-në në Firefox. Klikoni ikonën nënshkrim dhe mandej klikoni “Shtoni nënshkrim të ri”. Zgjidhni mes Shtypni, Vizatoni, ose Figurë dhe klikoni butonin Shtoje, që të kryhet. Mundeni edhe t’i ruani nënshkrimet tuaja dhe t’i ripërdorni më vonë.

Krijoni një theksim

Hapeni PDF-në në Firefox. Përzgjidhni tekstin që doni të theksohet, mandej klikoni ikonën e theksimeve që shfaqet nën përzgjedhjen, ose djathtasklikoni, që ta gjeni mundësinë e theksimit te menuja e kontekstit. Klikoni ikonën sipër djathtas që të theksoni me dorë të lirë pjesë të PDF-së.

Shtoni komente

Hapeni PDF-në në Firefox. Theksoni diçka, mandej klikoni ikonën e Komenteve që shfaqet nën përzgjedhjen tuaj, shtypni komentin tuaj dhe klikoni Shtoje, që të ruhet. Shumë komente në një PDF? Klikoni ikonën Komente te cepi i sipërm djathtas, që të hapet anështylla dhe kaloni te ai që keni nevojë.